John Graham, një ish-kitarist i një bande muzikore jo shumë të njohur në vitet ’60 në Britaninë e Madhe, është përcjellë për në banesën e fundit me një arkivol në formë kitare.
Sipas ‘Daily Mail’, janë dashur shumë muaj për të përgatitur arkivolin e rrallë. Vejusha 63-vjeçare tha: “Ka kaluar gjithë jetën duke i rënë kitarës dhe me shokët e tjerë të grupit udhëtonin në të gjithë vendin për të luajtur pjesët e tyre. E meritonte një arkivol të veçantë. Ka qenë njeri i mrekullueshëm.” Në vitin 2001 John u diagnostikua me tumor në tru dhe iu dha 5 vjet jetë nga doktorët, por i kaloi pritshmëritë deri sa para një viti kanceri në mushkëri e shkatërroi plotësisht. “11 vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për të dhe vetëm para 6 muajsh ndaloi së luftuari”, shton e veja e muzikantit.